Punësimi, më shumë në privat; Statistikat, 61 mijë më shumë se një vit më parë

12/06/2018 15:17

Zv/ministrja e Financave dhe ekonomisë Dajna Sorensen thotë se ekonomia shqiptare prej disa vitesh po krijon punësim me ritme të qëndrueshme.

“Në tre katër vitet e fundit të gjithë indikatorët e punësimit kanë performuar shumë mirë. Jo vetëm papunësia, por edhe rritja e forcës së punës si dhe punësimi”

Në tremujorin e parë të këtij viti papunësia ra në 12.5 për qind, çka sipas INSTAT, përbën nivelin më të ulët që nga shembja e regjimit komunist. Por a është emigrimi i shqiptarëve jashtë një nga arsyet se pse papunësia ka rënë në nivelin më të ulët historik?

“Kjo do të ishte e vërtetë nëse do kishim rënie në forcën e punës”, thotë ajo.

Sipas Sorensen, pritshmëritë janë që punësimi në ekonominë shqiptare të vazhdojë të rritet, kryesisht nga sektori privat.

“Nuk është qeveria që i krijon këto vende pune, por janë bizneset të cilat kanë gjetur një ambient të përshtatshëm ekonomik dhe gjenerojnë vende pune”, shton Sorensen.

Sipas INSTAT aktualisht numri i të punësuarve në ekonominë shqiptare llogaritet në rreth 1 milionë e 127 mijë vetë me një rritje prej 61 mijë të punësuar krahasuar me një vit më parë.

Top Channel