Nuk është as mbledhje e grupit parlamentar, as një ditë e ndërtimit të ndonjë aksioni specifik. Kryetari Lulzim Basha mori gjatë së martës urimet për ditëlindjen e tij të 44-ët që nga deputeti më i ri deri tek më i vjetri, lideri historik.

Kreu demokrat gjeti kohë për të vijuar aksionin opozitar duke ngritur akuzën e përgjegjësisë si pengesë për integrimin e vendit mbi tre emra: Rama, Tahiri, Xhafaj.

Lulzim Basha tha se kjo nuk është vetëm akuzë e tij, duke ju referuar deklaratave të Johann David Wadephul, Zv. Kryetari i Grupit Parlamentar të CDU-CSU, partisë të kancelares Merkel. Ai është përgjegjës për politikën e jashtme e të sigurisë dhe kreu i grupit të punës për Ballkanin Perendimor.

“Mesazhet e zv/kryetarit të Grupit Parlamentar CDU/CSU se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht për hapjen e negociatave, se Tahiri është peshk i madh dhe Xhafaj duhet të largohet, janë pasqyra e vërtetë e gjendjes në Shqipëri dhe prova se gënjeshtrat nuk ecin”, deklaroi ai.

Basha tha se hapja e negociatave dhe integrimi i Shqipërisë në BE nuk është proces reklamash dhe lobimesh personale, por një proces i veprimit dhe sjelljes si evropianë që nga drejtësia e pavarur, shkëputja e lidhjeve të qeverisë me krimin deri tek vota e lirë, siç tha ai.

“Nëse duam Europën, Samir Tahiri duhet të jetë aty ku e kanë vendin trafikantët dhe pushtetarët e lidhur me trafikantët. Nëse duam Europën Fatmir Xhafaj duhet të largohet. Nëse duam Europën, qeveria duhet të luftojë dhe jo të mbrojë korrupsionin, krimin dhe trafikantët. Nëse duam Europën, duhet të bëjmë reformë zgjedhore dhe të ndalim njëherë e përgjithmonë shitblerjen e votës dhe manipulimin e zgjedhjeve”, shtoi kreu i PD.

Top Channel