Mashurkat në fakt nuk janë asgjë tjetër përveçse varietete të ndryshme të fasules së zakonshme. Më shumë se sa nga forma apo shija dallimin më të madh ne ia bëjmë vetë, nga mënyra e përdorimit. Në vende të ndryshme ato thirren me emra të ndryshëm. Diku quhen fasule franceze, diku tjetër fasule kacavjerrëse etj.

Përbërësit:
– Fileto viçi 300gr
– Mashurka 500gr
– Portokall 1 kokërr
– Verë e bardhë ½ litra
– Gjethe selinoje
– Fara finoku
– Borzilok i thatë
– Kripë
– Piper
– Vaj ulliri
– Pak miell

Përgatitja:
Presim fileton e viçit në copa, e rrahim me çekiç kuzhine dhe pasi e lyejmë me pak mielle vendosim në një tigan me vaj ulliri për ta skuqur. Nga ana tjetër vendosim mashurkat për tu zier në ujë të nxehtë. Duhen 10 – 12 minuta për tu zier. Ndërkohë ne presim portokallin në forma të çfardoshme me gjithë lëkurë. Kur filetoja skuqet nga të dyja anët e shuajmë me verë të bardhë dhe i hedhim kripë dhe piper.

Pasi të ketë avulluar alkooli i verës i shtojmë shumë pak ujë që filetot të mbeten të buta. I mbajmë në flakë të ngadaltë derisa në tigan lëngu i filetos me verën dhe ujin të krijojë një masë kremoze. Kur mashurkat janë zier shtojmë në ujë copat e portokallit, farat e finokut, borzilok dhe gjethe selinoje.

I lemë të ziejnë për pak minuta. Ndërkohë mishin e shtrojmë në pjatën e servirjes dhe i shtojmë salcën e krijuar përsipër. Ndërsa mashurkat e sapo ziera bashkë me erëzat i kalojmë në mikser për të krijuar një krem shoqërues. Kur kremi të jetë lidhur mirë e shtrojmë në pjatë anash filetos së viçit dhe i japim një formë dekorative me lugë. Në fund i vendosim pak borzilok të freskët dhe feta portokalli.

Pjata është gati.

Top Channel