Inter, Skriniar rinovon deri në 2023-shin me 2.2 mln euro në sezon

08/06/2018 12:36

Interi po punon fuqishëm për ndërtimin e një ekipi konkurrues në Champions, edicionin e ardhshëm, e këtë po e bën duke nisur nga shtrëngimi fort i aseteve më të çmuara në ekip, thënë ndryshe rinovimet.

I pari me të cilin ka nisur puna është qendërmbrojtësi Milan Skriniar, më i kërkuari nga klubet më të mëdha europiane. Karol Csonto, agjent i mbrojtësit sllovak, ka pranuar një ditë më parë se “Interi i ka ofruar një kontratë të re dhe shumë të kënaqshme”.

Interi i kishte ofruar rinovimin javë më parë sllovakut, ndërsa tashmë dalin edhe detaje. Akordi aktual me zikaltrit ka si pjesë të tijën pagën prej 1.5 milionë eurosh deri në vitin 2022. Por, zgjatja e propozuar e kontratës deri në vitin 2023 do të shoqërohet edhe me një rritje page deri në 2.2 mln euro, gjë që do ta bënte mes lojtarëve më të paguar të skuadrës zikaltër.

Interi përforcon kështu idenë se Skriniar është i pashitshëm, duke qenë se ishte një nga pikat më të forta të ekipit gjatë sezonit të kaluar, por pritet të jetë edhe një nga shtyllat për të ardhmen.

Ky koncept vlen edhe Samir Handanoviç, portierin slloven që më 14 korrik mbush 34 vjeç. Kontrata e tij aktuale skadon në vitin 2021, por ndryshe nga sllovaku, akordi i tij zor se do të preket në këtë moment.

Top Channel