Botërori i Rusisë po afron dhe historitë personale të futbollistëve të skuadrave pjesëmarrëse nuk mungojnë.

Ky është rasti i Danny Rose, i cili u rrëfye në një intervistë për tabloidin britanik “Daily Mirror”, ku tregoi për një periudhë të errët të jetës së tij, kur iu desh të luftojë kundër depresionit.

Në janar të vitit 2017, Rose pësoi një dëmtim të rëndë në gju, që e mbajti atë jashtë fushave të lojës për 8 muaj, përprara se të kthehej të luante me Tottenhamin, për të siguruar më pas edhe një vend në skuadrën e “Tre Luanëve” për Botërorin e Rusisë.

Në intervistën e tij, Danny Rose pranoi se iu desh të kërkonte ndihmën e një psikologu dhe se gjithçka nisi kur u këshillua që të mos i nënshtrohej operacionit, gjë që e bëri atë të merrte kortizon dhe të injektonte plazmë në gju, në tentativë për t’u riaftësuar sa më shpejt.

Këtij momenti iu shtuan edhe problemet familjare. Rose tregoi se, gjatë kohës së riaftësimit të tij, xhaxhai i tij kreu vetëvrasje, ndërkohë që në gusht të vitit të kaluar, nëna e tij u bë viktimë e abuzimeve raciste në Doncaster.

Sikur të mos mjaftonin këto, Rose përjetoi një moment tjetër edhe më të vështirë, pasi vëllanë e tij e qëlluan me armë pikërisht në shtëpi. Pas një situate të tillë, grumbullimi me Kombëtaren angleze ishte shpëtimi për Danny Rose, me këtë të fundit që nuk rreshti së shprehuri mirënjohjen e tij për trajnerin Gareth Southgate dhe stafin mjekësor të “Tre Luanëve”.

Top Channel