Kombëtarja meksikane e futbollit po përballet me një skandal jashtë fushave të blerta, kur duhen pak ditë nga nisja e turneut më të rëndësishëm për të gjitha përfaqësueset e globit.

Shumë lojtarë, të cilët do të përfaqësojnë vendin në Botërorin rus, janë nën akuzë se organizuan një festë me prostituta, menjëherë pas një miqësoreje të zhvilluar ndaj Skocisë.

Kjo është një akuzë e ngjashme dhe rast i përsëritur me vitin 2011, kur asokohe kombëtarja e Meksikës përjashtoi 8 lojtarë për një festë me vajza në hotelin e ekipit, që më vonë u konfirmuan se ishin eskorta me pagesë.

Revista “TV Notas” raportoi ngjarjen, duke publikuar edhe fotografi që konfirmojnë akuzat për festën, e cila zgjati thuajse 24 orë në Mexico City.

Portieri Ochoa, mbrojtësi Salcedo, mesfushori Fabian dhe sulmuesi i njohur Giovanni dos Santos janë mes futbollistëve të inkriminuar publikisht nga shtypi. Kjo situatë aspak e këndshme ka trazuar përgatitjet e ekipit në prag të miqësores me Danimarkën, të shtunën, prova e fundit para se Meksika të zbarkojë në Botëror.

Ndeshja e parë zyrtare e Meksikës në Botërorin rus do të jetë një përballje shumë e vështirë ndaj Gjermanisë, kampione në fuqi.

Top Channel