Makinat e reja “diesel”, thuajse 100% ndotin mbi limite

06/06/2018 18:10

Testet e ndotjes që nuk mund të manipulohen nga prodhuesit e makinave tregojnë se thuajse të gjitha modelet e shitura në Europë që prej skandalit të Volkswagen, mbeten shumë ndotëse.

Testi përdor një rreze dritë që analizon tymin që del nga makinat si dhe targat e tyre për të diferencuar modelet e ndryshme. Pas më shumë se 370 000 matjesh në Britani, Francë dhe vende të tjera evropiane, u krijua një sistem i ri vlerësimi që quhet Iniciativa e vërtetë urbane për ndotjen dhe të dhënat e tij u bënë publike.

Në 2015, Volkswagen u zbulua se manipulonte testet e ndotjes, por sipas studimit të fundit, thuajse të gjithë prodhuesit kanë vazhduar të shesin makina që ndotin tej mase në kushte të vërteta rruge në krahasim me testet në laborator. Në laboratorë, thuajse të gjithë prodhuesit optimizojnë makinat që të kalojnë testet standarde, por testi me rreze drite bëhet në rrugë dhe nuk mund të manipulohet.

Rezultatet e testit tregojnë se thuajse të gjitha modelet diesel të vitit 2016 prodhojnë 5 herë më shumë ndotje se sa limiti i BE prej 0.08 miligram dioksidi azoti për kilometër. Modelet e vitit 2017 ishin disi më të pastra, por sërish 4 herë mbi limitin e ndotjes. Sipas testit edhe makinat të cilësuara si Euro 6, standardi më i fundit, nuk respektojnë limitet dhe nuk duhen lejuar në qendrat e qyteteve.

Top Channel