Përfaqësuesja e Iranit është e para që shkeli në tokën ruse për kampionatin Botëror të këtij viti që do të nisë pas 8 ditësh.

Skuadra e drejtuar nga Carlos Queiroz e mbylli shpejt fazën përgatitore për këtë eveniment që parashikonte edhe zhvillimin e ndeshjeve miqësore për të zbritur në Moskë në mbrëmjen e së martës në orën 20:26 sipas orës lokale gjë që u konfirmua nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit nëpërmjet faqes së saj zyrtare të internetit.

Irani është në Grupin B së bashku me Spanjën, Marokun e Portugalinë. Debutimin në Botëror, skuadra iraniane do ta bëjë në 15 qershor me sfidën ndaj Marokut. Për Iranin kjo është hera e pestë që merr pjesë në Kupën e Botës, më parë skuadra iraniane ka qenë pjesëmarrëse në Botërorët e 1978, 1998, 2006 dhe 2014.

Ndërkaq, të enjten në orën 14:00 një tjetër skuadër e Grupit B do të udhëtojë drejt Rusisë. Bëhet fjalë për Spanjën që do të qëndrojë në Krasnodar. Përpara nisjes, skuadra iberike një prej pretendëntëve për të fituar Kupën e Botës, zhvilloi një takim me kryeministrin e vendit Pedro Sanchez, ndërkohë që atë do ta vizitojë edhe Mbreti Felipe VI.

Në të njëjtën kohë, në Madrid u përurua edhe Muzeu i ‘La Rojas’ me pjesëmarrjen e ish teknikut te saj, Vicente Del Bosque. Në këtë muze, që do të qëndrojë i hapur deri në 15 korrik, janë ekspozuar trofetë e fituara nga Spanja të Kupës së Botës dhe të evropianëve në historinë e saj.

Top Channel