Guvernatori Sejko: Do blejmë valutë për të shmangur rënien e euros

06/06/2018 16:26

Zhvlerësimi i shpejtë i euros e detyroi Bankën e Shqipërisë të heqë dorë nga qëndrimi neutral në kursin e këmbimit dhe të ndërhyjë vetë në treg.

Guvernatori Gent Sejko njoftoi se banka do të fillojë blerjen e euros për të frenuar forcimin e mëtejshëm të lekut.

“Operacionet e blerjes së valutës do të synojnë eliminim e tepricës së përkohshme të valutës në treg”, tha Sejko.

Shqipëria ka një kurs të lirë këmbimi, i cili përcaktohet nga tregu. Por rënia e fortë e euros e vë ekonominë në një rrezik që lidhet direkt me mandatin e Bankës së Shqipërisë, atë të rënies së inflacionit poshtë kufirit ligjor prej 3 për qind. Kjo do të sillte pasoja negative për ekonominë, të cilat banka kërkon ti parandalojë.

“Çmimi i kursit të këmbimit nuk ka ardhur vetëm si rritje e tepricës së eurove në treg por edhe nga faktori psikologjik”, u shpreh Guvernatori.

Blerja e valutës nuk është arma e vetme që banka do të përdorë për të mos lejuar rënien e inflacionit poshtë kufirit ligjor. Paralelisht ajo uli normën bazë në një tjetër minimum historik.

“Ulim normën e interesit në 1 për qind”, tha gjithashtu Sejko.

Kjo është hera e parë që Banka e Shqipërisë detyrohet të ndërhyjë në treg duke blerë valutë, për të parandaluar rënien e vendit në deflacion. Këto masa të bankës së Shqipërisë vijnë në të njëjtën ditë kur Banka Qendrore Europiane vendosi të ndalojë shtypjen dhe hedhjen masive të euros në tregjet e eurozonës.

Kjo lëvizje se shkon në favor të forcimit të euros, por a do të mjaftojnë këto ndërhyje për të ndalur rënien e monedhës europiane ndaj lekut. Ky duket një bast jo I lehtë, veçanërisht në këtë periudhë kur sasia e eurove që hyjnë në Shqipëri rritet nga flukset e turistëve.

Top Channel