Bota e modës është tronditur nga lajmi i vdekjes së stilistes së famshme amerikane Kate Spade, çantat e së cilës afruan pasarelat me njerëzit e thjeshtë.

Spade u gjet e varur në apartamentin e saj në Manhattan, e vetëvrarë sipas të gjitha gjasave, mundësi kjo që përforcohet edhe më shumë nga shënimi i lënë në vendngjarje, ku përmendte të bijën e të shoqin.

Katherine Brosnahan Spade e kishte nisur karrierën si gazetare, e më pas redaktore e revistës së modës “Mademoiselle”.

Pasionin e vërtetë, ajo do ta shfaqte fillimisht me prezantimin e vetëm 6 lloje çantash, ama suksesi që i rrufeshëm. Spade e njohu famën shumë shpejt, falë krijimeve të saj elegante, të cilat në shumë raste kombinonin njëkohësisht praktikën me një gamë të re ngjyrash herë të ëmbla, e herë të guximshme.

Linja e saj e çantave dhe perandoria e aksesorëve, që krijoi bashkë me të, do të pasoheshin nga ngritja e dhjetëra dyqaneve në mbarë botën.

“Kate Spade kishte dhuntitë e lakmueshme që e kuptonte saktësisht se çfarë donin të mbanin në krah femrat anembanë botës”, u shpreh kryeredaktorja e “Vogue”, Anna Wintour.

“Çantën time të parë ‘Kate Spade’ gjyshja ma dhuroi kur isha në universitet”, shkroi në rrjetet sociale Chelsea Clinton. “E kam ende”, vazhdon vajza e ish-presidentit amerikan Bill Clinton.

E bija e shefit aktual të Shtëpisë së Bardhë, Ivanka Trump i bëri homazhe në të njëjtën mënyrë stilistes së shuar tragjikisht. “Ky largim i beftë është një kujtesë e dhimbshme e faktit se ne kurrë nuk arrijmë ta njohim deri në fund dhimbjen e tjetrit, apo barrën që ai bart në vetvete”, ishte mesazhi i saj.

Top Channel