Superkupa e Italisë “emigron” në Arabi. Juve-Milan, në janar 2019

05/06/2018 11:02

Superkupa italiane “emigron” sërish, e këtë herë jo për në lindjen e largët, por në Arabinë Saudite.

Në 3 sezonet e ardhshme do të jetë pikërisht mbretëria arabe që do të presë skuadrat rivalizuese për trofeun e parë sezonal të futbollit italian, atë që zhvillohet mes fituesit të Serie A dhe fituesit të Kupës së Italisë.

Ndeshja e parë pas kësaj marrëveshjeje do të jetë ajo mes Juventusit dhe Milanit, që do të zhvillohet në janar të vitit 2019 (me shumë gjasë më 19 janar), e jo gjatë verës siç është luajtur zakonisht në Itali, apo në fundvit siç u luajt në Kinë.

Lajmi është zyrtarizuar nga Liga italiane e futbollit, pas takimit dhe paktit të arritur me ministrin e Sporteve në Arabinë Saudite, Turki Alalshikh, për një kontratë tejet të majme që do të sjellë rreth 20 milionë euro në arkat e organizatorëve të Serie A.

Klubet respektive do të mund të përfitojnë nga 3 milionë euro secila, ndërsa kontrata e vjetër sillte të ardhura prej 4 mln eurosh në sezon por ishte shoqëruar me probleme organizative në eksperiencën kineze.

Top Channel