PD: Euron e uli droga. PS kërkon kujdes, thirret në Kuvend Guvernatori

05/06/2018 15:11

Në tregun valutor euro vazhdon rënien kundrejt lekut. Zyrtarisht sipas Bankës së Shqipërisë të martën një euro u këmbye me 124.17 lekë, rekordi që nga janari i 2009.

Në komisionin e Ekonomisë opozita akuzoi qeverinë se po lejon futjen në ekonomi të parave të drogës.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë në ekonominë shqiptare ky fenomen dhe ky fenomen nuk ka ardhur as nga paniku i krijuar nga opozita dhe nuk ka ardhur as nga paniku i ardhur nga qytetarët. Ky fenomen ka ardhur se realisht është duke ndodhur diçka e çuditshme që nuk justifikohet as nga Banka e Shqipërisë, as nga INSTAT dhe as nga shifrat e publikuara nga institucionet ndërkombëtare. Unë këtu përmend raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit që qeveria duhet ta konsideronte si kambanë alarmi që sektorë si ndërtimi dhe turizmi janë duke pastruar para, dhe pastrimi i parave po ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve që nga fermeri i thjeshtë e deri tek pensionisti, dhe ky duhet të ishte shqetësimi kryesor i qeverisë”, tha JoridaTabaku, PD.

Por për mazhorancën duhet bërë kujdes në deklarata pasi efekti psikologjik mund të japë efekte negative në ekonomi.

“Është në integritetin e këtij komisioni të ekonomisë dhe të gjithë deputetëve që këtë diskutim ta bëjë sa më serioz dhe sa më të ftohtë se në qoftë se ka një fenomen ku efekti psikologjik mund të ndikojë negativisht është politika monetare dhe politika fiskale, kështu që çdo qëndrim pasionant i pa argumentuar, i pa bazuar i supozuar mund të shkaktojë dëm shumë të madh”, tha Anastas Angjeli, PS.
Për të diskutuar mbi çështjen e zhvlerësimit të euros në komisionin e ekonomisë do të ftohen guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe ministri i Financave.

Ndërkohë që nga fillimi i vitit monedha europiane ka humbur mbi 9 pikë ndaj lekut.

Top Channel