Futbollisti më i mirë i Premier League dhe një prej kandidatëve për të fituar “Topin e Artë”, Mohamed Salah do të jetë në Botërorin e kësaj vere në Rusi. Sulmuesi i kombëtares egjiptiane është përfshirë në listën përfundimtare të trajnerit Hector Kuper, edhe pse është ende i dëmtuar.

Idhulli i një populli të tërë dhe arkitekti i kualifikimit të formacionit afrikan në fazën finale të Botërorit, kishte vënë në dyshim praninë e tij pas dëmtimit në finalen e Champions League. Përplasja me Sergio Ramos në përballjen ndaj Realit të Madridit penalizoi Liverpoolin, që humbi trofeun, por tronditi gjithashtu një komb të tërë, që mungon në Botëror prej 27 vitesh.

Me 44 gola në 52 ndeshje këtë sezon, Mohamed Salah do të jetë në ndeshjet e Egjiptit, edhe pse mbetet për t’u parë nëse do të ketë rolin e tij në premierën me Uuruguajin, apo do të aktivozhet në sfidën e dytë në grup. I pagëzuari me emrin “Faraoni”, nuk është vetëm Salah surpriza e Egjiptit në këtë Botëror.

Përfaqësuesja afrikane do t’i besojë një vend edhe Esam El Hadarit, portierit 45-vjeçar veteran që realizon ëndrrën e jetës me Botërorin e parë, e me të gjitha gjasat të vetëm të karrierës.

Top Channel