Barça blindon lojtarët me klauzola që kapin shifrën e 3.9 mld eurove

05/06/2018 09:53

Të gabosh është njerëzore. Të mësosh nga gabimet është diçka më shumë. Këtë gjë duket se po kërkon të bëjë edhe Barcelona, pasi humbi një prej aseteve më të çmuara të saj, brazilianin Neymar.

Tashmë klubi katalanas po mendon si e si të blindojë titullarët e vet me klauzola për prishjen e parakohshme të kontratave në limitet e “çmendurisë”.

Kjo do të thotë se, nga tani e tutje, për t’i rrëmbyer një lojtar të çmueshëm ekipit “blaugrana” do të ketë vetëm dy rrugë: e para, të prezantohesh në selinë e katalanasve me një ofertë të majme; e dyta, të ulesh në tavolinë me Bartomeun dhe të tentosh të negociosh.

Lista e publikuar nga “Marca” tregon përmes grafikës se për të rrëmbyer Messin, pa llogaritur shumën e çmendur që duhet t’i ofrosh si pagë “pleshtit” argjentinas, do të duhen mbi 700 milionë euro, ndërsa për të rrëmbyer një lojtar si kroati Rakitiç, të paktën 125 milionë euro.

I fundit që duket se u ka premtuar “përjetësi” katalanasve, duket se është Umtiti, i cili sapo ka firmosur një kontratë me klauzolë prej 500 mln eurosh. Përpara tij, sipas rolit në fushën e blertë, janë blinduar lojtarë si Ter Stegen (180 mln), Sergi Roberto dhe Pique (500 mln), Jordi Alba (150 mln), Busquets (200 mln), Dembele dhe Coutinho (400 mln) si dhe Suarez (200 mln).

Klauzola këto që në total kapin shifrën e 3.855 milion euro (3.9 mld euro). Një shumë që është sa pesëfishi i parave të shpenzuara për të blerë Milanin nga kinezët pranverën e kaluar nga Berlusconi.

Top Channel