Vajzat nga Elbasani fitojnë Festivalin e Fëmijëve në Shkodër

04/06/2018 12:36

Është mbyllur edicioni i 56 i Festivalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve që u zhvillua në Shkodër.

Juria ka shpallur fitues të këtij festivali këngën “Çdo gjë do dashuri”, e kënduar nga dy vajzat nga Elbasani, Eri Sula dhe Samanta Qoshku.

Pas marrjes së çmimit, dy fitueset nuk i fshehën emocionet: “Nuk e prisnim, por dëshirë kishim shumë”.

Në këtë edicion interpretuan 45 fëmijë. 22 në natën e parë dhe 23 në natën e dytë, ndërsa në natën e tretë u interpretuan këngët më të mira, ku u shpall edhe fituesi.

Për drejtorin artistik të këtij festivali, Kujtim Alia, ky edicion ishte i suksesshëm dhe solli zëra kualitativë.

“Mendoj që shtuam një edicion të suksesshëm në historinë e këtij aktiviteti. Meritë kanë krijuesit shqiptarë”, theksoi Alia.

Festivali Mbarëkombëtar i Fëmijëve, një event kulturor që bëri bashkë fëmijë nga gjithë trojet shqiptare, është kthyer në traditë për më shumë se gjysmë shekulli në Shkodër.

Top Channel