Tatimet, kontroll bizneseve. Në shtator vihen në listë ndërtimi, turizmi, minierat dhe guroret

04/06/2018 20:17

Tatimet kanë identifikuar përmes modelit kompjuterik të riskut, sektorët ku mendohet se ka më shumë evazion dhe parregullsi në pagimin e taksave.

“Në analizën më të fundit janë përzgjedhur nga moduli i riskut ndërtimi, turizmi dhe minierat e guroret”, thotë Gjergji Duro, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Bizneset e ndërtimit, turizmit, por edhe minierat, do të kalojnë të gjitha në sitë të hollësishme dhe ato që vlerësohen si më problematiket do të kontrollohen në terren.

“Pasi zgjidhet sektori më me risk, i jepet prioritet sektorit dhe më pas, brenda këtij sektori përzgjidhen tatimpaguesit më me risk. Ata të cilët nuk e kanë arritur nivelin e përmbushjes kundrejt të tjerëve. Këta tatim pagues përzgjidhen për kontrolle më të thelluara, të cilat do të fillojnë në shtator”, shprehet Duro.

Vitin e kaluar ekonomia shqiptare përfitoi 1.7 miliardë euro nga udhëtarët dhe turistët e huaj.

Tatimet vlerësojnë se një pjesë e mirë e këtij aktiviteti ekonomik, zhvillohet në informalitet, ndaj ka nisur një plan të posaçëm masash.

“Ka filluar plani i masave për turizmin, i cili parashikon një sërë veprimtarish, të cilat fillojnë me edukimin e tatimpaguesit, me orientimin e tyre për veprime të caktuara që ata duhet të realizojnë përmbushjen përkatëse. Por, ata tatimpagues, të cilët nuk do të jenë në nivelin e duhur të përmbushjes tatimore, do të përzgjidhen nga ky modul kontrolli për një fazë të dytë për kontroll tatimor të thelluar”, shprehet Gjergji Duro, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Për bizneset që kapen në shkelje të ligjit do të zbatohen masat ndëshkuese, jo vetëm administrative, por edhe kallëzim penal kur evazioni është i përsëritur, ashtu sikurse parashikohet në ligjin e procedurave tatimore.

Top Channel