Partia Demokratike Sllovene (SDS), një parti qartësisht antiemigracion, ka rezultuar më e madhja nga zgjedhjet e përgjithshme në Slloveni.

Sipas zyrtarëve, me thuajse të gjitha votat të numëruara, “SDS”-ja ka fituar 25% të mbështetjes, ndërsa si parti e dytë me 12.7% të votave ka rezultuar “Lista e Marjan Sareçit”, një parti politike e themeluar nga Marjan Sareç, një ish-gazetar, aktor dhe komedian.

Analistët politikë thonë se “SDS”-ja tashmë gjendet përballë vështirësive për të formuar një koalicion qeveritar.

Sllovenia u detyrua të shkonte në zgjedhje që prej muajit mars, pasi kryeministri i qendrës së majtë, Miro Cerar dha dorëheqjen mes greva, mosmarrëveshjeve brenda koalicionit dhe një vendimi të dëmshëm të Gjykatës Supreme.

“SDS”-ja antiemigracion udhëhiqet nga ish-kryeministri Janez Jansa, i cili ka qenë një mbështetës i zëshën i kryeministrit nacionalist hungarez, Viktor Orban. Të dielën në mbrëmje, teksa rezultatet bëheshin gjithnjë e më të qarta, ai tha se “dyert e partisë së tij janë të hapura për bisedime dhe koalicione” ndaj të gjitha partive të tjera.

“Jemi gati të nisim bisedime serioze bazuar mbi programin, mbi të cilin kemi punuar aq fort”, tha ai.

“SDS”-ja do të ketë 25 vende në Asamblenë Kombëtare 90-vendëshe. E vetmja parti që ka deklaruar deri më tani se do të punojë me “SDS”-në është ajo e qendrës së djathtë, “Nova Slovenija”, e cila fitoi 7.1% të votave dhe rrjedhimisht 7 vende në Parlament.

Kjo mund ta bëjë “LMS”-në, një parti antiestablishmet që do të ketë 13 vende, të ketë një rol tejet të rëndësishëm në negociata.

“SDS”-ja është shprehur se paratë e shpenzuara ndaj emigrantëve do të mund të përdoreshin më mirë për forcat e sigurisë së vendit. Jansa thotë gjithashtu se dëshiron që Sllovenia “të bëhet një vend që do të vendosë përpara gjithçkaje mirëqenien dhe sigurinë e sllovenëve”.

Lista e Marjan Sareçit udhëhiqet pikërisht nga komediani i kthyer në politikan satirist, Marjan Sareç, i cili e ka shpallur qysh në fillimet e tij veten si një politikan “antiestablishment”. Ai e përshkroi rezultatin e së dielës si “një sukses tejet të madh” të arritur në zgjedhjet e para për partinë e tij.

Marjan Sareç

Rreth 25 parti ishin në garë për zgjedhjet e përgjithshme, në vendin me 1.7 milionë banorë me të drejtë vote.

Top Channel