Ndryshe nga sa shpresonte Hashim Thaçi, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do ta mbështesë platformën e prezantuar nga Qeveria për dialogun politik me Beogradin.

Në deklaratën e saj për shtyp thuhet se, dokumenti i prezantuar ishte i dobët, joserioz dhe me pretendime jokushtetuese.

Platforma e ekzekutivit, që pret miratimin e Kuvendit, ia beson kreut të shtetit rolin drejtues në këtë proces. Ky i fundit gjendet i detyruar ta informojë rregullisht Parlamentin për bisedimet e zhvilluara në Bruksel.

Si rezultat final, dokumenti synon që Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, të arrijnë një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët, e cila për Kosovën do të ratifikohej nga Kuvendi si organi më i lartë.

Nëpërmjet këtij pakti, Prishtina shpreson të sigurojë heqjen e barrierave të krijuara për anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Bashkimin Europian dhe strukturat e organizata të tjera ndërkombëtare.

Por, partitë opozitare në Kosovë këmbëngulin që të mos jetë Hashim Thaçi në krye të procesit të dialogut me Serbinë, i cili tani po i afrohet fazës finale. Një muaj më parë, Komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme votoi me shumicë të qartë kundër përmbajtjes së platformës së qeverisë, nën argumentin se ajo nuk është e plotë dhe ka shumë paqartësi për mënyrën sesi të përmbyllen bisedimet me Beogradin.

Top Channel