21 vite më parë, një supergol nga 35 metra distancë i Roberto Carlos

04/06/2018 14:00

Nëse do të pyesnim çfarë iu kujton “Tournoi de France”, të paktë janë ata që do të përgjigjeshin se bëhet fjalë për një turne miqësor ndërkombëtaresh, i zhvilluar në Francë në fillim të qershorit të vitit 1997, një vit i zi sidomos për shqiptarët.

Në fakt, ai ishte një turne përgatitor përpara Kupës së Botës së vitit 1998, ku merrnin pjesë 4 ekipe kombëtare, ato të Brazilit, Anglisë, Francës që do të ishte organizatorja e Botërorit në vijim, dhe Italisë.

Këto kombëtare luajtën kundër njëri-tjetrit në një turne me vetëm një raund, teksa fituesi i grupit shpallej edhe fitues i turneut.

Atë minikompeticion e fitoi Anglia, me 6 pikë, pas fitoreve kundër Italisë e Francës, e humbjes me Brazilin. “Seleçao” do të renditej i dyti me 5 pikë, si pasojë e një fitoreje dhe dy barazimeve.

Për ata që e kujtojnë, nuk mund të harrohet ai barazim 3-3 mes Italisë dhe Brazilit, me dy gola të shënuar nga 22-vjeçari asokohe Alessandro Del Piero, nga një gol për Romarion dhe Ronaldon, e gjithashtu nga një autogol për secilin ekip. Trofeun e golashënuesit do ta merrte Del Piero, me 3 gola, një më shumë sesa Romario.

Por, mbi të gjitha, ai turne dhe data 4 qershor, pra si sot përpara 21 vitesh, turneu do të prodhonte një prej golave më spektakolarë të parë ndonjëherë nga një goditje dënimi. Një gol që do të shënohej në minutën e 21-të nga Roberto Carlos, në ndeshjen Francë-Brazil, nga një distancë prej 35 metrash, e që nga shumëkush konsiderohet si më i bukuri i futbollit modern.

Top Channel