Kombëtarja shqiptare e futbollit arkivoi me një dështim programin e përgatitjeve të kësaj vere, duke marrë humbjen e dytë këtë radhë 4-1 ndaj Ukrainës, në një miqësore të shumëdiskutuar jashtë fushës, por pa histori brenda saj.

Kuqezinjtë e trajnerit Panucci shfaqën një lojë të varfër përballë formacionit të Andriy Shevchenko, duke u dorëzuar pa kushte që në fraksionin e parë.

Pas gjysmë ore lojë, Ukraina mori epërsinë me një gol të Konoplyanka i pashqetësuar nga prapavija e Shqipërisë në hyrje të zonës. Mbrojtja e kuqezinjve në një ditë të keqe lejoi më pas një sllallom të bukur nga Yarmolenko që tundi për herë të dytë rrjetën e Berishës.

Ofensiva thuajse inekzistente e Shqipërisë lehtësoi lojën e rivalëve dhe Ukraina shënoi golin e tretë para pushimit, sërish me Yarmolenko. Në fraksionin e dytë kundërshtari administroi avantazhin komod. Emanuele Ndoj shënoi golin e nderit për kuqezinjtë, gëzimi i vetëm në një pasdite për tu harruar në Evian. Konoplyanka më pas, vulosi disfatën e merituar.

Me 7 gola të pësuar në vetëm 2 miqësore, kjo Shqipëri e drejtuar nga Christian Panucci nuk premton asgjë të mirë për nisjen e ndeshjeve në Ligën e Kombeve në shtator.

Top Channel