Për Manjola Nallbanin kjo ka qenë një periudhë e ngjeshur. Pas këngës dhe klipit të saj më të ri “Je fati im” tani ajo vjen drejtuar një publiku më të ngushtë. Atij të muzikës klasike. Me një koncert recital të hënën, në sallën e koncerteve të Universitetit të Arteve, në orën 19:00. Me një repertor të pasur.

“Santuzza, Aria e Lokes, nga arijet më të bukura shqiptare. Pjesë nga opera Carmen. Por në të njëjtën kohë, meqenëse unë prej 11 vitesh kam filluar nga fillimi, nga zero, lëndën e mjuzikëllit. Do të ketë edhe disa pjesë mjuzikëll”, u shpreh Manjola Nallbani, mezzo-soprano.

Këto mjuzikëll kanë qenë ndër vite edhe pjesë e koncerteve të saj me studentët e Universitetit të Arteve. Ato janë pjesë nga “Cats”, si “Memory”, apo “All i ask of you e Phantom of the Opera”. Por sigurisht që nuk mund të lerë pa bërë pjesë të këtij recitali edhe muzikën popullore, të dy trevave.

“Tiranse dhe Shkodrane, por të sjella le të themi në formë më të shkolluar, më ndryshe nga interpretimi popullor, kështu i zakonshëm”, shprehet Manjola.

Në 60 minuta koncerti do të jetë i shoqëruar nga pianistja Silva Skënderi. Nëse ka ndonjë arsye të veçantë përse ky recital tani, për Nallbanin pak rëndësi ka koha, por ndjesia.

“Vjen një moment që të krijohet njëfarë bagazhi, frymëzimi dhe mënyra më e mirë sigurisht që janë koncertet. Sepse Universiteti i Arteve ka një jetë artistike vërtet shumë intensive”, thotë mezzo-sopranoja.

Top Channel