Real Madrid, “AS”: Florentino Perez ëndërron trajnerin e Juventusit

02/06/2018 11:48

Nga ëndërr, ndoshta do të bëhet realitet. Massimiliano Allegri duket se ka hedhur vështrimin nga Reali i Madridit, tashmë që klubi madrilen ka mbetur pa trajner, pas largimit të Zinedine Zidane.

Trajneri i Juventusit, sipas presidentit Florentino Perez ka të gjitha cilësitë e duhura për t’u ulur në pankinën e “Los Blancos”-ve, më e nxehta dhe më prestigjiozja në botën e futbollit.

Pak ditë më parë e hodhën si ide mediet italiane, ndërsa këtë të shtunë është e përditshmja spanjolle “AS”, që di më shumë sesa të tjerë ato që ndodhin në ambientin madrilen.

Allegri ka ritheksuar se dëshiron të qëndrojë te Juventusi, por nëse ndërhyn Reali, atëherë gjithçka mund dhe duhet të shqyrtohet.

Zidane u largua pas dy sezonesh e gjysmë në Madrid, kohë gjatë së cilës fitoi 3 trofe radhazi në Champions League. Nga ana tjetër, raporti mes Allegrit dhe Juves është i shkëlqyer, por nëse thërret Reali, trajneri livornez nuk do të mendohej dy herë përpara se ta pranonte, ndërsa në këtë drejtim as Andrea Agnelli nuk do të mund të bëhej pengesë.

Pankina e Realit 13 herë kampion europe është ëndrra e të gjithë trajnerëve të botës.

Top Channel