Napoli, De Laurentiis: Verdi do të jetë i yni. Jorginho, refuzova Man. City

02/06/2018 10:39

Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis zbulon prapaskenat e refuzimit të rinovimit të kontratës me Maurizio Sarrin, teksa ka folur gjatë edhe mbi merkaton tashmë nën drejtimin e teknikut të ri Ancelotti, për të përditshmen sportive italiane “Corriere dello Sport”.

“Maurizio (Sarri) më lëndoi kur më tha se, me kontratën e re donte të pasurohej. E konsiderova si një ofendim, duke qenë se vinte nga dikush që jeton në një shtet që prej vitesh po përjeton recesion. Dikush që fiton 3 milionë euro në sezon, ose më mirë 4 mln përfshi shpërblimet, nuk mund të deklarojë diçka të tillë”, ka thënë padroni i klubit napolitan.

Për të kaluar tek e tashmja dhe e ardhmja nën siglën “Ancelotti”, ai shprehet:

“Carlo është çelësi i ndërkombëtarëzimit të Napolit. Ai dëshiron të ruajë gati 80% të organikës aktuale të klubit, pasi e konsideron të një niveli të shkëlqyer. Objektivat tona janë një portier, një mbrojtës krahu, një mesfushor dhe një sulmues krahu”.

Goditja e parë duket se do të jetë një sulmues i spikatur i këtij sezoni me Bolognën.

“Verdi? Besoj se kemi bërë mjaftueshëm dhe do t’i sigurojmë shërbimet e tij”.

Sa u përket largimeve të mundshme, ai zbulon se ka refuzuar 45 milionë euro (plus 5 bonus) nga Manchester City për Jorginhon. Ndërsa për sllovakun Hamsik shprehet se është i lirë të largohet, nëse vërtet dëshiron të transferohet në Kinë.

“Nga 10 deri më 31 korrik, Carletto mund të vlerësojë të gjithë ekipin në dispozicion dhe të marrë vendimet e tij. Më 4 gusht do të jemi në Dublin për të luajtur me Liverpoolin, e aty do të shohim performancën e parë nën drejtimin e tij. Besoj se tani për tani, në sulm kemi lojtarë klasi si Mertens, Milik, Insigne, Callejon, Ounas, Ciciretti, Inglese dhe të rinjtë Vinicius e Younes”, tregon De Laurentiis.

Megjithatë, ekziston ende një i “burgosur” i kontratës në fuqi me Napolin dhe ai është Sarri.

“Nëse do të vijë dikush të hapë tratativat për të do të tregohem i arsyeshëm. Nuk jam tip hakmarrësi dhe e përsëris, Sarri do të ketë gjithmonë falenderimin tim për çfarë ka bërë këtu. Por, është tjetër çështje kur dikush ka kontratë me mua edhe për dy vite dhe nis të flasë publikisht për dyshime të tipit ‘nuk e di nëse do të qëndroj’, ‘nuk e di nëse klubi do të bëjë çmos për të mbajtur më të mirët’, apo ‘në jetë më mirë t’i japësh fund kur kujtimet janë pozitive’. Kjo shkakton sinjale të panevojshme vuajtjesh dhe mosbesimi, duke mos përmbushur detyrimet kontraktore dhe duke më shkaktuar dëme. Unë nuk kam për detyrim të rinegocioj një kontratë që është negociuar tashmë. Gjithsesi, prej janarit e kam bërë edhe këtë. Deri ku arritëm? Në fund të marsit diskutonim për një pagë prej 3.5 mln eurosh me Championsin dhe 2.5 mln eurosh me Europa League”.

Top Channel