Ndërkohë që ende pritet një konfirmim zyrtar nga Ukraina, nëse do të luajë miqësoren me Shqipërinë apo jo, Cristian Panucci vijon i qetë stërvitjen me skuadrën në fshatin Verbier të Francës.

Në seancën stërvitore të pasdites së të enjtes, është stërvitur plotësisht me grupin mbrojtësi Ermir Lenjani. Ky është një lajm pozitiv për Panuccin, që kundër Ukrainës së Shevchenkos nuk do të detyrohet të bëjë sërish eksperimente, ashtu si ndaj Kosovës.

Ndërkohë, i vetmi shqetësim ka qenë mungesa e Kristal Abazajt, që nuk është stërvitur me grupin, për shkaqe shëndetësore. Gjithsesi ka optimizëm se edhe sulmuesi më i ri i Anderlechtit do të bashkohet me grupin sot, për të qenë në dispozicion për sfidën e të dielës.

Kujtojmë se FIFA i ka imponuar Ukrainës që të zbresë në fushë më 3 qershor, për miqësoren me Shqipërinë. Në rast se përfaqësuesja ukrainase nuk do të pranojë të luajë, do të duhet të dëmshpërblejë kuqezinjtë dhe kompaninë organizatore.

Top Channel