Pagat nuk po rriten. Biznesi fajëson taksat. Ekspertët: Sipërmarrësit dëmtojnë veten

31/05/2018 19:41

Biznesi nuk e ka ndjekur politikën e qeverisë për të rritur pagat e punonjësve. Ndonëse vitin e kaluar rrogat në sektorin publik u rritën me gati 10 për qind, në privat ato mbetën thuajse të pandryshuara. Por pse biznesi nuk i rrit pagat?

“Nuk mungon dëshira e sipërmarrësve privatë për të përputhur kontributin dhe përpjekjet që bëjnë punonjësit me një nivel pagash që të përballojë shpenzimet, të jetë i motivuar, të jetojë mirë dhe të qëndrojë tek sektori privat. Por, realisht na bëjnë presion niveli i taksave, konkurrenca, produktet dhe çmimet rajonale që janë më të lira, si energjia, uji. Gjithë ky presion që na ushtron tregu nuk na bën komod që të ndërhyjmë dhe të rregullojmë pagat e punonjësve”, thotë Luan Bregasi, Biznes Albania.

Vitin e kaluar ekonomia u zgjerua me gati 4 për qind, por rrogat e punonjësve u rritën gati 4 herë më pak. Selami Xhepa thotë se një pjesë e problemit qëndron tek vetë biznesi, i cili duke mbajtur paga të ulëta për punonjësit po dëmton veten.

“Sektori privat nuk po e kupton rëndësinë e faktit që mbajtja e pagave të ulta godet në radhë të parë vetë sipërmarrësit. Mënyra më e sigurtë që vetë sipërmarrësit të rrisin shitjet e tyre në ekonomi, është duke rritur pagat e punëtorëve”, thotë Selami Xhepa nga Instituti Europian “Pashko”.

Prej vitesh, rrogat në Shqipëri janë në stanjacion, veçanërisht në sektorin privat, ndërkohë që çmimet vazhdojnë të rriten vit pas viti. Kjo e ka futur ekonominë në një rreth vicioz, ku rënia e të ardhurave i detyron njerëzit të blejnë më pak.

“Pothuajse 90 për qind e të gjithë të punësuarve në ekonomi, kanë një nivel të tillë të ardhurash që nuk mund të bëjnë diferencën të rëndësishme në fuqinë blerëse ekonomike. Për pasojë, kjo bën që shitjet e vetë sipërmarrësve të mbeten të ulta dhe shitjet e ulta do të thotë të ardhura të ulta. Ky rreth vicioz duhet që të çahet dhe besoj se u takon vetë sipërmarrësve për ta bërë një gjë të tillë”, shton Xhepa.

Shqipëria është vendi me rrogat më të ulëta në Ballkan. Sipas ekspertëve, kjo lidhet me produktivitetin e ulët të punonjësve dhe orientimin e ekonomisë shqiptare drejt sektorëve me vlerë të ulët si fasoni, apo shërbimet.

Por, përtej këtyre faktorëve, ndoshta edhe vetë sipërmarrësit janë duke u treguar të ngurtë, duke mbajtur një politikë, e cila në afatgjatë nuk dëmton vetëm punonjësit, por edhe vetë ata.

Top Channel