Ekspozita me fëmijët, Medina tregon jetën e fëmijëve shqiptarë

31/05/2018 15:19

“Duke ngushtuar hapësirat mes nesh”, ekspozita me fotografi të polako-amerikanes Grace Medina, vjen kështu e ngjeshur edhe në kurimin e hapësirës së saj nga Genti Gjikola.

Janë 44 fotografi që tregojnë jetën e fëmijëve në nevojë e të pambrojtur në këtë prag 1 qershori, në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri.

“Doja të dokumentoja disa fëmijë në Shqipëri. Kështu filloi ky projekt. Donim të vendosnim theksin tek fëmijët, atmosfera e tyre, kushtet e jetesës, nevojat që ata dhe familjet e tyre kanë”, tha Grace Medina, fotografe.

Ato ndalen veçmas në portretin bardh e zi tregojnë personalitetin dhe prezantimin e tyre si individë; fotot në ambientin familjar, fokusojnë realitetin në të cilin ata jetojnë dhe si mozaikë shumëngjyrësh vijnë profilet e fëmijëve që marrin shërbim në Qendrat Komunitare në Fier, Korçë, Shkodër, Lezhë dhe Tiranë.

“Shtëpitë, mjediset që ata jetojnë. Qendrat komunitare që shkojnë pas shkolle dhe njëkohësisht edhe portretet bardh e zi, që vendosin theksin tek fëmijët që donim të shfaqnim. Në fund qëllimi është të tregojmë që këta janë fëmijë. Kanë personalitetin tyre, ëndrrat dhe aspiratat”, thotë ajo.

Ajo që kuptohet lehtë është që përveç trishtimit sytë e tyre të qeshur shkëlqejnë mbi gjithçka.

“Në fillim mbeta tërësisht e tronditur. Por në fund e kupton që prindërit duan vërtet më të mirët për fëmijët e tyre, por është shumë e vështirë për ta të dalin nga kjo gjendje varfërie”, thotë fotografja.

Është kjo figurë njerëzore, portreti dhe marrëdhëniet e fëmijëve në familje, që Medina e ka frymëzim të vetin.

Top Channel