Deschamps “frikësohet” nga hija e Zidane: Një ditë do të drejtojë Francën, por s’e di se kur

31/05/2018 19:07

Edhe pse është vigjilja e takimit miqësor mes Francës dhe Italisë, në konferencën për shtyp të trajnerit të “gjelave” nuk mund të mos flitej largimi i papritur i Zinedine Zidane nga Reali i Madridit.

“Ky është vendimi i tij dhe e respektoj. Duke e njohur shumë mirë Zizounë, besoj se e ka menduar gjatë këtë hap dhe është bindur se është vendimi më i mirë për të”, është shprehur Didier Deschamps.

E ardhmja e tij, gjithsesi përflitet të jetë pikërisht pankina e “Les Bleus”.

“Sigurisht që një ditë do të jetë trajner i Kombëtares franceze. Kur? Këtë nuk mund ta them unë”, do të përgjigjej më tej Deschamps ndaj interesit të reporterëve.

Shokë skuadre për shumë vite e trofe, Deschamps nuk e fsheh “irritimin” për pyetjet e shumta drejtuar tij në lidhje me Zidane, teksa të shumtë janë ata që do ta donin francezin e Realit në vendin e teknikut të Francës.

“E respektoj vendimin e Zidane, e me siguri është më i miri i mundshëm. Besoj se ka reflektuar gjatë para se të hedhë këtë hap. A e shtonin presionin (pozitiv) ndaj meje ky zhvillim? Nuk e di. Mua më njihni, tani për tani jam i fokusuar vetëm te Kupa e Botës. Pas këtij kompeticioni do të kemi kohë të flasim për të tilla gjëra. E sigurtë është se nuk do të jem unë, ai që do t’i dorëzoj atij çelësat e Francës, por presidenti i Federatës sonë. Mendoj se Zidane duhet ta shijojë pushimin e merituar me familjen e tij. Sinqerisht nuk kam dyshime mbi veten time, askush nuk mund të ma prishë qetësinë”.

Një lajm “bombë” ky, që pashmangshmërisht e kalon në plan të dytë testin miqësor të luksit.

“Kam mbetur i habitur nga mënyra sesi nisi ndeshjen Arabia, duke i vendosur në vështirësi italianët. Italia gjithsesi bëri diferencën, por jam i bindur se kundër Francës, axurët do të kenë më shumë motivim”, do të shprehej Deschamps në lidhje me ndeshjen e radhës.

Nuk mund të mos theksonte keqardhjen e tij për mungesën e Italisë në Botëror, por shprehet se verdiktet e fushës duhen pranuar, “sepse edhe neve na ka ndodhur shpesh herë”.

Në fund, lavdërime edhe Balotellin. “Është një sulmues i nivelit të lartë, mund të bëjë diferencën kudo dhe kurdo. Vjen pas dy sezoneve shumë të mira, gjatë të cilave ka shënuar shumë gola. Padyshim që është një prej qendërsulmuesve më të mirë të Europës”.

Top Channel