Në kompozimin e një kuadroje, ai sheh shumë elemente: pozicionin si rri personazhi, tiparet e tij, atmosferën përreth, me ato pak elemente që mund të këtë rreth e rrotull.

Personazhet e Roland Karanxhës janë njerëzit më të përbuzur të shoqërisë, janë ata që fati nuk u buzëqesh asnjëherë…këta janë heronjtë e tij.

“Po gazetat shkruajnë përditë për rritje ekonomike. Aty ka përfunduar kjo zonja që sheh, kjo zonjë që kërkon ndihmë, lëmoshe. Janë pjesë e kësaj jete, s’mund t’i anashkalojmë, s’mund të mos i pikturojmë, pastaj nga këta njerëz ka edhe në vendet e zhvilluara, jo vetëm këtu, si mund t’i lësh pa trajtuar, pa parë? Janë tipa interesantë”, thotë piktori Roland Karanxha.

Të lënë në harresë nga shoqëria, Karanxha i krahason këta njerëz me ambientin ku atyre u duhet të rrëmojnë çdo ditë për të mbijetuar.

“Jo, s’është njeriu mbetje. Është i lënë pas dore, por duke ndenjur pranë plehrave, duke mos e parë, duke mos u kushtuar interes këtyre njerëzve, merr në njëfare kuptimi këtë emër”, thotë ai.
Në 69 kuadrot e prezantuara në Muzeun Historik Kombëtar, Karanxha trajton edhe dimrin e qytetit të lindjes, Korçës, që nuk mund të konceptohet pa tisin e borës.

“Në përgjithësi kam trajtuar dimrin e qytetit. Më ka pëlqyer dhe më pëlqen. I krijon një pastërti qytetit dhe i bën mirë edhe piktorit për punën, pasi heq pjesët e tepërta, pjesët e panevojshme. Ç’mund të kenë rrugët, çatitë”, deklaron artisti.

Dimri i Korçës në telajot e Roland Karanxhës mirëpret vizitorë deri më 30 maj.

Top Channel