Pak ditë pas denoncimit në emisionin “Të Paekspozuarit” në Top Channel, Gjykata e Tiranës i ka dhënë të drejtë pretendimit të prindërve të të ndjerit Marvi Mihali.

Ata denoncuan me pamje filmike se të katër personat që kanë goditur Marvin janë të përfshirë në vrasje, në një kohë që Prokuroria kishte akuzuar vetëm njerin për vrasjen, ndërsa tre të tjeret i akuzoi për moskallëzim krimi duke i liruar.

Në vendimin e dhënë paraditen e së hënës, Gjykata e Tiranës ka pranuar që për vrasjen e Mihalit duhet të akuzohen jo vetëm autori Dejvis Bitraj, por edhe tre personat që e shoqëronin dhe që nga pamjet filmike duket që e kanë goditur të ndjerin.

Në fakt, kjo ka qenë edhe kërkesa e prokurorit Gjergji Tako, i cili me urdhër të Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku zëvendësoi për hetimin e kësaj çështjeje prokurorin e Artan Lula. Prokurori Tako u riformuloi akuzën Eugen Bitrajt, Kridens dhe Marsel Allës nga moskallëzim krimi, në vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim.

Këtë cilësim akuze e pranoi edhe gjyqtarja e procesit paraprak, Shefkie Demiraj, e cila vendosi që me këtë akuzë katër personat e lartëpërmendur të dërgohen për gjykim.

Tani pritet që për Eugen Bitrajn dhe Kridens dhe Marsel Allën, të cilët janë të lirë, pasi më parë u akuzuan vetëm për moskallëzim krimi, të ndryshojë edhe masa e sigurisë ndaj tyre, por vendimi pritet të merret nga trup i gjykues që do të gjykojë çështjen në themel.

“Tani filloi beteja mes të mirës dhe të keqes. Që e mira të fitojë do të duhet pak kohë. Kam besim nga drejtësia”, deklaroi pas vendimit, babai i Marvit.

Top Channel