Boston dorëzohet, Cleveland në finalen e madhe të NBA

28/05/2018 10:27

LeBron James është i pathyeshëm. ‘The King’ drejtoi Cleveland drejt titullit kampion të Konferencës së Lindjes e si rrjedhoje edhe drejt finales së madhe të NBA me 35 pikë të shënuara në fitoren që Cavaliers fitoi ndaj Boston Celtics 87-79.

Në TD garden, skuadra e Celtics ndihej e sigurt pasi nuk kishte pësuar asnjë humbje gjatë gjithë fazës së playoffit. Megjithatë për cdo gjë ka një herë të parë dhe Bostoni nuk mund të përbënte përjashtim. Pas një ndeshjeje të luftuar, Cleveland ia shkaktoi disfatën e parë në shtëpi Bostonit pikërisht në momentin më vendimtar të finales së Konferencës së Lindjes.

7 pikët e para të Cleveland në 5 minuta kishin të gjitha firmën e LeBron James, por Bostoni reagoi dhe e mbylli periodën e parë me rezultatin 26-18. por në periodën e dytë u pa një Boston më i lëkundur dhe Cleveland kërkoi të përfitojë për të bërë parakalimin në rezultat. Skuadrat e mbyllën pjesën e parë 43-39 për Bostonin që ishte dukshëm në vështirësi të mëdha, ndërkohë që marrja e avantazhit nga ana e Cavaliers ishte vetëm çështje kohe. Në fakt ajo ndodhi në gjysmën e 12 minutëshit të tretë që në fund u mbyll 59-56 për skuadrën nga Ohio.

Në fraksionin e fundit, Boston bëri edhe një tentativë tjetër për të rimarrë frenat e lojës në dorë, por gjeti shumë shpejt përgjigjen e Cavaliers që me mjeshtëri arriti të mbyllë këtë ndeshje 87-79 që firmosi dominimin total të kësaj skuadre në Konferencën e Lindjes. Përvec James me 35 pikë, për Cleveland spikati dhe Green me 19 pikë, ndërsa për Bostonin 24 dhe 17 pikët e Tatum e Horford nuk mjaftuan për të frenuar Cleveland dhe ‘Mbretin’ James.

Top Channel