Siri, disa rusë të vrarë pas sulmit xhihadist në Deir al-Zour

27/05/2018 13:16

Të paktën 4 luftëtarë rusë janë vrarë nga militantë në provincën lindore siriane të Deir al-Zourit. Dy këshilltarë ushtarakë humbën jetën kur bateria ushtarake siriane, të cilën po udhëzonin, ra prè e një sulmi të papritur, ndërsa 5 ushtarakë të tjerë rusë u plagosën, prej të cilëve dy ndërruan jetë më vonë si pasojë e plagëve të marra.

Ushtria siriane mori qytetin e Deir al-Zourit nëntorin e kaluar, por luftëtarë të Shtetit Islamik mbeten ende aktivë në këtë provincë. Zyrtarisht, Rusia ka humbur rreth 90 vetë nga personeli ushtarak i vendosur në Siri, gjatë luftës civile në këtë shtet.

Dhjetëra kontraktorë ushtarakë kanë janë vrarë gjithashtu, që kur Moska nisi ndërhyrjen ushtarake në mbështetje të presidentit Bashar al-Assad, në shtator të vitit 2015. Agjencia ruse e lajmeve “Ria Novosti” njofton se, “të grup terroristësh në lëvizje” kanë sulmuar artilerinë e ushtrisë siriane gjatë natës. Të plagosurit janë duke marrë ndihmë mjekësore në një spital ushtarak rus.

Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur nga Moska se, forcat e saj kanë vrarë 43 militantë gjatë luftimeve. Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë me seli në Londër që monitoron luftën civile në Siri, njoftoi se sulmet janë ndërmarrë nga luftëtarë të Shtetit Islamik dhe se 35 trupa proqeveritare kanë humbur jetën, mes të cilëve 9 rusë.

Përveçse ka shërbyer si strehë e militantëve xhihadistë, provinca e Deir al-Zourit ka qenë edhe në mesin e përçarjeve mes forcave qeveritare siriane dhe njësive të sirianëve kurdë, përfshi edhe Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.

Pas 7 vitesh lufte civile, qeveria siriane, e mbështetur nga forca ushtarake ruse e iraniane, tashmë kontrollon shumicën e pjesës qendrore të Sirisë, përfshi qytetin e dytë më të madh, Aleppon. Ndërsa rebelët përqëndrohen më së shumti në Idlib.

Top Channel