Menjëherë pas triumfit për herë të tretë radhazi dhe për herë të 13 hë histori, në Ligën e Kampionëve, mediat spanjolle kanë paralajmëruar një revolucion te Reali i Madridit.

Fjalët e Ronaldos dhe Bale, nga Kievi, që paralajmëruan largimin nga ‘Santiago Bernabeu’, por edhe deklarata të mëhershme, flasin qartë për përgatitjen e ndryshimeve thelbësore në merkato.

Grupi i Realit kampion, luajnë bashkë prej vitesh dhe Florentino Perez kërkon të rinovojë skuadrën dhe të sjellë elementë të rinj, të talentuar dhe me uri për të fituar sërish në Europë dhe Spanjë.

Kështu BBC-ja e famshme, janë duke bërë gati valixhet, për t’u larguar nga Reali këtë verë, ndërsa ndryshime parashikohen edhe në portë e në mbrojtje.

Sa i përket sulmit, Neymar mbetet ëndrra më e madhe e Perez, ndërsa Hazard dhe njëri mes Kane e Icardit, pritet të plotësojnë treshen. Gjithsesi nuk mbetet pas as Paulo Dybala, që ka përfunduar sërish në qendër të interesit të madrilenëve dhe për më tepër, mund të mirëpresë një largim nga Torino, ku Allegri nuk i ka garantuar vijimësi në formacion.

Në portë synimi i vetëm është rikthimi në Spanjë i David de Geas, për të cilin Manchester United kërkon rreth 80 milionë euro, por që Perez nuk ka ndërmend të kursehet.

Sezoni sapo është mbyllur dhe vera pritet të jetë e gjatë dhe e nxehtë, por ajo që ka rëndësi, është se me apo pa revolucion, Reali i Madridit do të vijojë të jetë konkurrues dhe spektakolar.

Top Channel