Ish-astronauti amerikan, Alan Bean, njeriu i katërt që shkeli në Hënë, është ndarë nga jeta në Teksas në moshën 86-vjeçare.

Në vitet më të vona të jetës së tij, pas tërheqjes nga NASA, ai ishte bërë një artist, me një numër pikturash të frymëzuara nga hapësira.

Ai, siç konfirmohet në një deklaratë të shpërndarë nga NASA, ishte i sëmurë kohët e fundit dhe vdiq pranë familjarëve në një spital në Houston.

Alan Bean, një ish-pilot testues i Marinës amerikane ishte përzgjedhur nga NASA në vitin 1963. Ai udhëtoi në hapësirë dy herë, fillimisht në nëntor të vitit 1969, si pilot i “Apollo 12”, që u ul në Hënë.

Më vonë, ai do ta përshkruante misionin si shumë kompleks dhe të rrezikshëm. “Ishte si një film fantastiko-shkencor për ne”, do të thoshte ai. Ndërsa në vitin 1973, ai ishte komandant i misionit drejt “Skylab”, stacionit të parë hapësinor amerikan.

Ai u tërhoq nga NASA në vitin 1981 dhe vijoi karrierën si një artist jo pak i suksesshëm.

Tre astronautët që i paraprinë shkeljes në Hënë të Alan Bean, ishin Neil Armstrong dhe Buz Aldrin në “Apollo 11” dhe Charjes Conrad, që i parapriu me vetëm pak çaste, në të njëjtin mision me të në “Apollo 12”. Nga të katër këta, vetëm Aldrin është ende gjallë, në moshën 88-vjeçare.

Në total, 24 persona kanë fluturuar drejt Hënës dhe 12 kanë shkelur në të.

Top Channel