Karius, kandidat për performancën më të dobët në histori. Tifozët e duartrokasin gjithsesi

27/05/2018 09:17

Përmasat e katastrofës së shkaktuar nga portieri Loris Karius, tregohen më së miri nga sfondi i rrjeteve sociale apo medieve menjëherë pas vërshëllimës së fundit të arbitrit të ndeshjes.

Portieri gjerman u përplas në fushë dhe nisi të lotonte si të ishte në një skenë filmi, ndërsa për ta rënduar edhe më tepër situatën e tij, asnjë shok skuadre nuk i shkoi për ta ngushëlluar.

I vetmi që mendoi disi për të ishte Gareth Bale, pak minuta më vonë, pikërisht heroi i finales së djeshme dhe përfituesi i drejtpërdrejtë i “dhuratës” së dytë të Kariusit mbrëmjen e djeshme.

Një portier që futet kështu në analet e historisë së Champions League, si kandidati me performancën më të dobët ndonjëherë në një finale të kompeticionit më prestigjioz për klube.

Gafa e parë ishte pikërisht goli që i dhuroi Benzemasë, në një mënyrë krejtësisht të çuditshme, pasi tentoi të rivinte topin në lojë me duar, por duke e përplasur në këmbët e sulmuesit francez. Më vonë, pasi kishte pësuar këtë herë pa faj, golin e parë të Bale, një roveshatë e mrekullueshme, Karius mendoi sërish t’iu dhuronte diçka madrilenëve, teksa tentoi të ndalonte me duar të hapura një goditje të fuqishme me të majtën nga anësori uellsian.

Dy dhurata ekstremisht të papranueshme kur dihet se në ç’nivel je duke luajtur. Edhe pse nuk mund t’i hiqet asnjë meritë madhështisë së Realit të Madridit, kjo finale do të kujtohet përgjithmonë si një ndeshje e humbur për faj të portierit të Liverpoolit.

E pavarësisht ironisë së shumë tifozëve në rrjetet sociale, të parët që iu përgjigjën thirrjes së Klopp për të duartrokitur Kariusin ishin vet tifozët e pranishëm në stadium të Liverpoolit. Por, vështirë se portieri gjerman do ta marrë ndonjëherë veten nga kjo gafë e dyfishtë.

Top Channel