Itali, Giuseppe Conte heq dorë nga përpjekja për krijimin e qeverisë së re

27/05/2018 20:34

Giuseppe Conte, i mandatuar për krijimin e qeverisë së re në Itali, hoqi dorë nga detyra pasi Presidenti Sergio Matarella refuzoi të zgjedhurin e tij për postin e ministrit të Ekonomisë, euroskeptikun Paolo Savona.

“I pranova të gjithë ministrat, përveç atij të ekonomisë”, tha Matarella pas takimit të zhvilluar mbrëmjen e së dielës me Conten. Ai shprehu keqardhjen për mungesën e gatishmërisë ndaj zgjidhjeve të tjera.

Kandidati për kryeministër i koalicionit të partive populiste Lëvizja e Pesë Yjeve dhe Lega Nord, i paraqiti të dielën Matarellës listën me të zgjedhurit e tij për kabinetin e ri, me shpresën se më në fund do të ishte në gjendje të krijonte qeverinë.

Por, kreu i shtetit i vuri veton kandidatit për ministër të Ekonomisë, i cili, sipas tij do të udhëhiqte vendin drej daljes nga eurozona.

“Duhet të tuteloj të ardhurat e italianëve”, vijoi më tej Matarella.

Duke sulmuar Presidentin për qëndrimin e tij, Mateo Salvini i Lega Nord tha se Italia duhej të votonte sërish, ndërsa Luigi di Maio i Lëvizjes së 5 Yjeve e cilësoi vendimin si të pakuptueshëm. “Nuk mund të qëndrojmë duarkryq”, tha ai.

Pak minuta më vonë fjalët e tij u pasuan nga një perspektivë dramatike. Mediat italiane pretendojnë se krerët e Lëvizjes së 5 Yjeve po shqyrtojnë mundësinë për të kërkuar gjykimin e Presidentit mbi bazën e nenit 90 të Kushtetutës, sipas të cilit Presidenti nuk përgjigjet për aktet e kryera gjatë kohës që ushtron detyrën, përveçse në rastin e tradhtisë së lartë apo sulm ndaj Kushtetutës.

Në këtë rast do të vihej në gjendje akuze nga Parlamenti.

 

 

Top Channel