Plagosja e kryeredaktorit të RD, si u qëllua në protestën para Ministrisë së Brendshme

26/05/2018 20:08

Në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pas protestës, shkuan disa policë të lënduar gjatë saj.

Pak më herët, atje ishte dërguar me lëndime në kokë edhe kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike”, Blendi Kasmi. Ai e shpjegoi në këtë mënyrë plagosjen e tij: “Në atë moment ishte duke postuar disa foto për gazetën, kur vjen një furi nga forcat e policisë, një shtyrje e madhe. Kishte një mburojë me hekura, të cilën e spostuan forcat speciale dhe në këtë moment dy ose tre policë, në mënyrë të pabesë më kanë goditur me shkopa gome. Më pas më goditi edhe dikush tjetër 3 herë në kokë”, tregon Blendi Kasmi, kryeredaktor i RD.

Mediat raportuan se Kasmi u lëndua nga të vetët.

Partia Demokratike raportoi një tjetër video duke shpjeguar se Kasmin e qëlluan policët.

Kamerat e Top Channel e kanë regjistruar nga disa drejtime momentin e përplasjes mes demostruesve dhe policisë dhe se si është goditur gazetari i RD.

Ndërsa protestuesit morën hekurat rrethues duke shtyrë policët, këta të fundit janë përgjigjur duke shtyrë tej protestuesit.

Në këtë moment, gazetari nxiton duke shtyrë kanxhellat dhe një shkop gome e godet në kokë. Pas kësaj, ai largohet mes turmës e më pas me ndihmën e deputetëve të PD kalon mes policëve i lënduar.

Top Channel