UEFA, edhe më e ashpër për “Fair Play”-n financiar dhe licencimin

25/05/2018 14:04

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s aprovoi rreguloren e re mbi “Fair Play”-n financiar dhe licencimin e klubeve, duke imponuar më shumë kontrolle dhe transparencë, e duke premtuar ndëshkime më të ashpra për shkelësit.

Presidenti Aleksander Ceferin ka kërkuar shtimin e hetimeve për ata që iu shmangen detyrimeve, duke kërkuar sanksione për ata që abuzojnë me bilancet.

Tre ishin pikat kryesore në Komitetin Ekzekutiv të futbollit kontinental. Klubet europiane do të detyrohen të bëjnë publike të gjitha informacionet financiare, duke përfshirë pagesat e agjentëve të futbollistëve, që në vitet e fundit kanë kapur shifra të çmendura. Parashikohet gjithashtu një ekuilibër mbi transferimet e lojtarëve për të evituar falimentimin.

Përmes rregullores së re, UEFA ka kërkuar të vendosë disiplinë edhe te monitorimi i buxhetit. Do të kontrollohen në mënyrë të drejtpërdrejtë borxhet dhe shpenzimet, si dhe deficiti i transferimeve të lojtarëve që kalojnë një kuotë të paravendosur.

Objektivat e rinj të Komitetit Ekzekutiv vazhdojnë në rrugëtimin që Platini dhe Infantino nisën së bashku në vitin 2010, por me sa duket, zvicerani do ta përfundojë projektin me Ceferin në UEFA.

Top Channel