Top Awards/ Gena zbulon “sekretin”: Muzika “rock”, frymëzim për mua

25/05/2018 16:42

Ai është një artist që numëron shumë vite në skenë por kryesisht në koncertet “live” që janë pika e tij më e fortë. Po flasim për këngëtarin e njohur, Gena, i cili është një ndër artistët e vetëm që lundron në shumë rryma muzikore si popullore, baladë, pop-folk. Por së fundmi,  Gena ka zbuluar se fillimisht frymëzimin për t’u marrë me muzikë e ka gjetur tek muzika “rock”.

Artisti i njohur është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List” me dy projekte muzikore, të cilat edhe pse kanë kohë që kanë dalë në treg, duket se publiku ka dëshirë të dëgjojë muzikën e tij të publikuar disa kohë më parë dhe pse jo, ta votojë atë. “Pa Adrese” dhe “Gajle” renditen përkatësisht në vendin e 41-të dhe 59-të për këtë javë.

I kontaktuar nga “Top Awards”, Gena ka folur më shumë për këto dy projekte muzikore, si dhe ka treguar se çdo të thotë për atë, të jetë pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Top Awards: Jeni bërë pjesë e klasifikimit me dy projekte muzikore, “Pa Adrese” dhe “Gajle”, një “solo” dhe një bashkëpunim, ju kë preferoni më shumë?

Gena: Për mua të dyja këngët janë të bukura dhe çdonjëra prej tyre ka veçantinë e vetë. Ndoshta për këngën “Pa Adrese” do thosha kam pak më tepër preferencë për shkak sepse muzika dhe teksti janë të krijuara nga unë por dhe kënga “Gajle” është pëlqyer shumë nga publiku dhe për këtë arsye është klasifikuar dhe në “The Top List”.

TA: Edhe pse kanë kohë që janë publikuar si projekte muzikore, këto këngë arritën të bëhen këtë javë pjesë e listës, pse mendon se fansat kanë reaguar kaq vonë?

Gena: Mesa kam ndjekur dhe unë vetë “The Top List”, kam vënë re që kjo ka ndodhur edhe me këngët e artistëve të tjerë, pra janë bërë pjesë e listës këngë që janë publikuar shumë më heret ndoshta publiku kërkon t’i dëgjojë sërish këngët e mëparëshme. Unë mendoj se një këngë e bukur mbetet gjithnjë e bukur dhe mund të dëgjohet në çdo kohë.

TA: Çfarë do të thotë për ju të jeni pjesë e klasifikimit të “The Top List”?

Gena: Për mua të jem pjesë e “The Top List” është një vlerësim nga ana e publikut për punen time por kryesisht për pasionin tim që është muzika.

TA: Tek projekti “Pa Adrese” keni ardhur tepër romantik, ju tek cili zhaner muzikor e ndjeni veten më mirë pasi shpesh herë lundorni në rryma të ndryshme?

Gena: Unë gjithmonë e kam thënë se tek baladat e gjej veten dhe ndihem i plotësuar si artist kur këndoj, por dhe në rrymat e tjera më pëlqen të lëviz për të patur dhe larmi.

TA: Vazhdoni ende të jeni aktiv në jetën e natës, kush është publiku më i zjarrtë që ke patur ndonjëherë, brenda apo jashtë Shqipërie?

Gena: Ne shqiptarët jemi popull dinamik që e pëlqejmë muzikën dhe e vlerësojmë, megjithate mendoj se ndoshta shqiptarët që ndodhen jashtë janë pak më tepër të zjarrtë se ata që jetojnë këtu, mendoj se kjo ndodh për shkak dhe të largësisë…

TA: Në një intervistë të dhënë për “Wake Up”, jeni shprehur se frymëzoheni nga muzika “rock”, keni tentuar ndonjëherë të këndoni këtë rrymë?

Gena: Po më pëlqen shumë muzika “rock”, kjo ka qënë një nga arsyet që unë në fillimet e para për shumë vite më rradhë i kam rënë baterisë, ka qënë inspirim për mua, për shijet e mia personale. Rock 100%, jo nuk kam tentuar por “rock-baladë” patjetër, si psh kënga “Pa Adrese” është një “rock-baladë”.

TA: Një mesazh për të gjithë mbështetësit e muzikës tuaj…

Gena: Një falenderim të madh për të gjithë fansat e mi që më mbështesin ndër vite dhe më japin motiv për të vazhduar të bej atë që dashuroj më së shumti, muzikën....

Top Channel