Me anë të një deklarate për mediat, Policia e Shtetit ka publikuar akset rrugore që do të bllokohen si pasojë e protestës së opozitës ditën e nesërme.

Plani i masave që është hartuar nga uniformat blu është më i përforcuar se gjatë protestave të fundit që ka zhvilluar opozita.

Të paktën 1500 efektivë pritet të jenë në terren , për të “blinduar”, ministrinë e Brendshme dhe Kryeministrinë, dy institucionet ku do të zhvillohet manifestimi. Policia e shtetit do të kalojë në gatishmëri të përforcuar që prej mbrëmjes së të premtes ndërsa në gatishmëri do të kalojë po ashtu edhe policia e burgjeve dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe ato të Renea-s.

DEKLARATË E POLICISË SË SHTETIT PARA TUBIMIT

Policia e Shtetit për tubimin e subjektit politik Partia Demokratike, parashikuar të zhvillohet në datë 26 Maj 2018, ora 11:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të bllokojë qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore të brendshme të Tiranës.

Duke filluar nga ora 00:00 e datës 26 maj, deri në përfundimin e tubimit nuk do lejohet qarkullimi i mjeteve në rrugët:

– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i rrugës “Bajram Curri” deri tek kryqezimi i rrugës “Abdyl Frashëri” dhe anasjelltas;

– Rruga “Ismail Qemali” nga degëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II” deri tek Bulevardi “Deshmorët e Kombit” do të jetë e bllokuar;

– Rruga “ Papa Gjon Pali II” nga degëzimi me Bulevardin “Bajram Curri”, deri tek degëzimi i rrugës “Themistokli Germenji” dhe anasjelltas, do të jetë e bllokuar dhe nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në të dy anët e rrugës;

Duke filluar nga ora 07:00 e datës 26 maj deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të të gjitha kategorive nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të rrugës “Abdi Toptani”.

Devijimet do të prekin edhe linjat e transportit publik, ku linja e “Tiranës së Re” do të kthehet tek sheshi “Ëillson”, linja e Kamzës do të kthehet tek sheshi para ish-Kafe “Florës”, linja e Saukut do të kthehet tek rruga “28 Nëntori” pranë Sahatit.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e operatorëve të transportit publik qytetas, që ditën e shtunë deri në përfundim të protestës, të mos përdoren mjetet e transportit artikular, për shkak të devijimeve dhe bllokimeve që do të bëhen për arsye sigurie.

Të shtunën, nga ora 07:00 deri në përfundim të protestës brenda Unazës së Madhe dhe rrugëve të tjera të brendshme, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë të të gjitha kategorive.

Mjetet e transportit të pasagjerëve që do të vijnë nga qytetet e tjera nuk do të lejohen në brendësi të Tiranës, përveç vendeve të miratuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që janë:

– Pallati i sportit “Asllan Rusi”, në rrugën “Dritan Hoxha”;
– Pallati me shigjeta në rrugën “Konferenca e Pezës”;
– Rreth-rrotullimi i Fakultetit Ekonomik në rrugën e “Elbasanit”;
– Ura e Brrylit në “Bulevardin Zhan D’Ark”.

Mjetet e transportit që vijnë nga rrethet pasi të zbresin qytetarët në vendet e caktuara sipas Planit të Masave, do të kthehen dhe vendosen:

– Mjetet që vijnë nga rreth-rrotullimi i “Fakultetit Ekonomik” do të vendosen në rrugën “Shahin Toci” pranë Terminalit të Jug-Lindjes;
– Mjetet që vijnë nga sheshi “Shqiponja” do të vendosen në rrugën “Teodor Keko”;
– Mjetet që vijnë nga Pallati me shigjeta në rrugën “Teodor Keko”;
– Mjetet që vijnë nga pjesa lindore e qytetit, do të sistemohen përballë Maternitetit të Ri.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin për largimin e mjeteve të parkuara në rrugët e sipërpërmendura, në të kundërt do të spostohen me mjete ngritëse.

Gjithashtu luten qytetarët që të shmangin përdorimin e panevojshëm të automjeteve ditën e nesërme, sidomos në segmentet që lidhin qendrën e qytetit me Bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, për shkak të devijimeve dhe kufizimeve, deri në përfundim të tubimit.

Top Channel