Opozita, të shtunën në shesh. Protestë apo revoltë kundër qeverisë?

25/05/2018 12:36

Opozita e bashkuar ka thirrur qytetarët nesër në protestë, për rrëzimin e qeverisë dhe me kërkesë kryesore dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Por, si është menduar protesta nga demokratët? Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma sqaroi gjithçka në studion e lajmeve të Top Channel.

“Shqipëria është në një krizë të thellë shpirtërore, morale, shoqërore dhe jo vetëm politike. Çështja e ministrit të Brendshëm është vetëm maja e ajsbergut. Ka qindra të rinj që mendojnë vetëm për t’u larguar nga ky vend. Edhe ata duhet të protestojnë. Kjo nuk është për PD-në, por për veten tonë. Duhet protestuar për çdo njeri që i janë rritur taksat, më pas politika bën pjesën e vet. Duhet të dalim në protestë për të thënë që ky vend edhe mund të bëhet më mirë”, deklaroi Duma.

Deputetja demokrate shtoi se qeveria duhet të japë llogari ndaj qytetarëve dhe llogaridhënia është dorëheqja e Fatmir Xhafës.

“Kryeministri e di se i leverdis më shumë dorëheqja, por ai nuk e bën dot këtë dhe prandaj duhet reagimi popullor që të shkundë mpirjen e qeverisë nga marrja peng që i ka bërë krimi dhe paratë e pista”, theksoi Duma.

Top Channel