Familjarë, miq, akademikë, personalitete nga politika dhe letrat shqipe bënë homazhe këtë të premte në Akademinë e Shkencave për të nderuar Akademikun Kolec Topalli, që u nda nga jeta një ditë më parë. Miqtë dhe bashkëpunëtorët tregojnë si e kanë njohur akademikun e shquar.

“E kam njohur mjaft herët, para se ai të përfshihej në këto institucione shkencore në fushën e gjuhësisë. Ishte ende mësues në fshatin Nikël të Krujës. Mbaronte mësimin atje dhe pasdite vinte punonte në Bibliotekë të gjithë kohën. Një njeri i librave, studiues i zellshëm, i apasionuar, i dashuruar me historinë e gjuhës shqipe”, tha Seit Mancaku, gjuhëtar.

“Kujtimi i tij do të jetë i paharruar jo vetëm te kolegët e tij gjuhëtarë që kanë bashkëpunuar, një prej të cilëve jam edhe unë, që e ndiej veten krenare që kam bashkëpunuar dhe me fat”, tha Anila Omari, gjuhëtare.

Kolec Topalli la pas një pasuri të paçmuar me veprën e tij, si autor i dhjetëra studimeve, ku më i rëndësishmi është “Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe”, i cili i mori atij 45 vite kohë. Por, ndonëse një gur i rëndë në fushën e gjuhësisë dhe studimeve albanologjike, Kolec Topalli, ashtu siç njerëzit e mëdhenj jane, ishte një njeri modest.

“Ishte një njeri shumë komunikues, një bashkëpunëtor, një njeri që dëgjonte me vëmendje kolegët, vërejtjet, sugjerimet dhe ndihmonte shumë të tjerët”, tha Seiti. “Profesor Koleci ishte jo vetëm një studiues i shquar, por edhe një njeri fisnik. Ai pranonte vërejtje edhe nga një studiues më i thjeshtë dhe madje ishte mirënjohes dhe falënderonte”, tha Anila.

Kolec Topalli u përcoll në qytetin e Shkodrës, për në banesën e tij të fundit.

Top Channel