“Vettingu të prekë edhe Xhafajn, opozita gaboi me ditën publikimit të audiopërgjimit”

24/05/2018 22:08

Gazetari dhe opinionisti, Baton Haxhiu, ka qenë pjesë e panelit të emisionit “Të PaEkspozuarit”, ku mbrëmjen e kësaj të enjte është diskutuar për audio-përgjimin e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Ndër të tjera Baton Haxhiu shprehet se Vettingu në polici të prekte edhe ministrin Xhafaj. Më tej ai ka kritikuar edhe opozitën, duke theksuar se e ka përdorur në momentin kur po mbahej samiti i Sofjes, duke e cilësuar këtë si të pamoralshme dhe të keqe për procesin e integrimit

“Problemi real është së vëllai i ministrit figuron i dënuar për narkotikë në Itali. Më kanë shqetësuar dy gjëra, momenti kur ka dalë përgjimi nuk është ballafaquar duke ikur në Itali. E dyta, ka një situatë se të gjithë shtiren se nuk kanë qenë të informuar për këtë çështje, por në fakt kanë qenë të informuar për çështjen. Shqipëria është në periudhën vendimtare të reformimit të drejtësisë dhe policisë nëpërmjet Vettingut. Ekziston në polici Vettingu, por ai duhet të prekte edhe ministrin Xhafaj. Ky është morali i punës. Për shkak të vëllait, ai nuk do të duhej të ishte pjesë e Ministrisë së Brendshme. Sa i përket opozitës, ajo e ka përdorur në mënyrë të pacipë. E ka përdorur në momentin kur po mbahej samiti i Sofjes, duke nxjerrë diçka të tillë. E pamoralshme dhe e keqe për procesin që po ndodh”, u shpreh Baton Haxhiu.

Top Channel