Rritja e çmimit të pronave në Tepelenë, më shumë kontrata shit-blerjeje

24/05/2018 15:22

Flora dhe Xhelili administrojnë një njësi të vogël me mallra të ndryshme prej 20 vitesh. Ata thonë se çmimi i një apartamenti në Tepelenë është më i lartë se pak vite më parë por sipas tyre në Tepelenë ka shumë pak shit-blerje të pronave.

Një tjetër banor thotë se mjedisi i ndryshuar e ka përmirësuar jetën. Një shtëpi që dikur shitej për 1.6 apo 2 milionë lekë në qendër të Tepelenës kushton të paktën 3 milionë.

Dy ditë më parë kryeministri Rama tha nga Tepelena se vlera e pronave ishte rritur ndjeshëm për shkak të ndërhyrjeve në infrastrukturë por vlerësuesit privatë të pronave flasin për një rritje të lehtë të vlerës së pasurive duke nisur me rritjen zyrtare të çmimit të referencës për to në Tepelenë që prej vitit 2015 megjithatë jashtë kamerave ekspertët lokalë thonë se çmimet reale nuk reflektohen në dokumente zyrtare apo kontrata shit-blerjeje për shkak të tendencës së fshehjes së detyrimeve që rrjedhin prej tyre.

Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për Tepelenën bën me dije se realisht ka pak argumente në dorë për të provuar një rritje të ndjeshme të vlerës së pronës megjithatë regjistruesit pranojnë se kontratat e shit-blerjes që ata administrojnë në dosjet e aplikimeve mbajnë të paktën vlera 20% më të larta krahasuar me 5 vite më parë.

Top Channel