Shërbimet sekrete në Britani do të transmetojnë për të parën herë një reklamë në televizion kombëtar, për rekrutime të reja, në një përpjekje për të inkurajuar më shumë gra dhe minoritete etnike t’i bashkohen MI6.

Helmimi i një ish spiuni rus dhe vajzës së tij në Salisbury rezultoi me një rritje të numrit të aplikimeve për rekrutim në agjenci. Por, zyrtarët duan të zgjerojnë radhët e tyre dhe thonë se kërkojnë njerëz që sfidojnë status quo-në.

Sipas shifrave të fundit zyrtare, nga marsi 2016, 24.1 për qind e stafit kryesor dhe 37.8 për qind e stafit të thjeshtë janë gra. Po ashtu nuk kishte asnjë pjesëtar jo britanik, me ngjyrë, aziatik apo nga minoritetet etnike në mesin e drejtuesve.

Reklama, fillon me imazhin e një peshkaqeni, një përshkrim stereotip i të keqit në filmat e James Bondit. Por, më vonë, ai shndërrohet në një nënë që qetëson fëmijën dhe u thotë shikuesve se MI6 kërkon njerëz që kanë aftësi kuptimi dhe emocionale.

“Është një sekret, por ne jemi si ju”, është motoja e fushatës. MI6 ka një marrëdhënie të thellë ambivalente me portretin e saj imagjinar në filmat James Bond. Vitin e shkuar, MI6 transmetoi reklama në kinema për të tërhequr një lloj të ndryshëm kandidati.

Imazhi i një spiuni të pashpirt, me licencë për të vrarë, që shpëton botën, ka bërë mrekulli për markën MI6, por nuk reflekton punën e vërtetë brenda organizatës dhe ekziston shqetësimi se ai mund të ketë mbajtur larg saj shumë persona.

Paga mesatare, fillestare, është nga 35 në 37 mijë stërlina për pozicionet e oficerit të inteligjencës dhe të gjithë aplikantët duhet të kalojnë një proces Vettingu.

Top Channel