Grabitja në Durrës, në zyrën e prokurorit që hetonte vjedhje tokash dhe ish-zyrtarë

24/05/2018 15:11

“Në normalitet, pas një krimi prokurori shkon në vendangjarje. Në anormalitet pas një krimi, vendngjarja shkon tek prokurori. Kjo ka ndodhur në prokurorinë e Durrësit mbrëmjen e kaluar, kur grabitësit për disa orë janë bërë prokurorët e natës në institucionin e akuzës. Ata kanë hyrë të qetë në zyrën e një prokurori, të një oficeri të policisë gjyqësore dhe në zyrat e serverit qëndror dhe kanë marrë prej andej çfarë ata dëshironin”, raporton gazetarja Anila Hoxha.

Prokurori Afrim Shehu në dosjen më të fundit që ka nën hetim është ajo e tjetërsimit të tokave në Ishëm, me disa ish zyrtarë nën akuzë. Sikurse kjo dosje, por edhe të tjera që Shehu i kishte nën hetim janë zhdukur nga persona të panjohur. Burimet raportojne se një pjesë janë gjetur të grisura dhe të hedhura në dysheme. Në katin e katërt të Prokurorisë, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në zyrën ngjitur të Oficerit të Policisë Gjyqësore.

Prokuroria ka dyshime se e gjitha kjo është kryer nga një grup i strukturuar kriminal, e për këtë ka regjistruar procedimin sipas kësaj dispozite. Ajo që kanë konstatuar ekspertët nga kqyrjet disa orëshe është se autorët kanë dëmtuar serverin e pamjeve filmike të prokurorisë Durrës, kanë marrë prej andej disa pajisje e madje kanë shkatërruar edhe serverin që komandon hapjen e dyerve.

Por për ekspertët të vetmet gjurmë që kanë mbetur nga vendngjarja janë këto pajisje që u përcollën në laboratorin e policisë shkencore.

Edhe Prokuroria e Përgjithshme dhe Krimet e Rënda kanë dërguar një ekip prokurorësh për këtë ngjarje, që shikohet e lidhur me grabitjen e postierit të 8 majit në të njëjtin qytet. Siç përshkruan një burim i sigurtë, grabitësit kanë përdorur pjesën e pasme të godinës.

Ata janë ngjitur përmes kabinës elektrike, duke hyre në dritaren më të afërt të një tualeti. Por grabitja e dokumenteve hetimore për herë të dytë të prokurorisë ka qenë e paralajmëruar.

Në datën 15 maj orën 22 , tre fëmijë të mitur kanë tentuar të thyejnë llambën ndriçuese ngjitur me prokurorinë e Durrësit.

Për këtë ngjarje banoret kanë njoftuar policinë, por autorët janë larguar në drejtim të paditur.

Shtylla e ndriçimit është fare pranë kabinës elektrike. Dëshmitari Elvin Kurti tregon:

“Unë isha në zyrë, dëgjova zhurmë dhe dola, pashë një person me kapele që po tentonte të thyente ndriçuesit. Njoftova policinë”, thotë ai.

Fakti që brenda dy javëve kanë ndodhur tre episode sulmi ndaj prokurorisë ka shumë gjasa t’i lidhë këto krime me njëra-tjetrën. E ndërsa ato ishin në zhvillim e sipër, prokuroria dhe policia ishin në gjumë sikurse këtë të mërkurë.

Top Channel