Donald Trump nuk do të bllokojë dot asnjeri në “Twitter”.

Një gjykatë në Nju Jork doli në përfundimin se, profili i tij në rrjetin social nuk është personal, por adresa e një presidenti, ndaj bllokimi i individëve do të përbënte shkelje të “Amendamentit të Parë” dhe të drejtës së tyre për të marrë pjesë në një diskutim publik.

Shtatë paditësit që ankoheshin se kreu i shtetit nuk i lejonte të ishin aktivë në faqen e tij u përfaqësuan nga “Knight First Amendment Institute” i Universitetit të Columbias.

Gjykata e mori parasysh shqetësimin e tyre. Në vendimin e saj sqarohet se, Trumpi e përdor këtë profil për komente e veprime që mund të ndërmerren vetëm nga pozitat e presidentit.

Sipas saj, shefi i Shtëpisë së Bardhë thjesht mund t’i injorojë komentet që e acarojnë, në vend që të zgjedhë t’i bllokojë krejtësisht përdoruesit e padëshiruar.

Top Channel