Refugjatët kanë gjetur një tjetër rrugë përmes Ballkanit për të mbërritur në vendet e Europës Perëndimore, destinacioni i tyre i përhershëm.

UNHCR-ja njoftoi hapjen e një korridori të ri tranzit në Bosnje, pas masave energjike që u morën kohë më parë për t’i bllokuar të ardhurve lëvizjen nëpërmjet Greqisë, Maqedonisë, Serbisë e Hungarisë.

Tani, nga Greqia ata nisen drejt Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjes e Kroacisë, për të mbërritur në Perëndim.

Plot 3.000 vetë kanë përfunduar gjatë 4 muajve të parë të vitit, nga 10 mijë që vërshuan gjithsej sivjet drejt Greqisë, një nga vendet kryesore hyrëse krahas Spanjës, Italisë dhe Bullgarisë.

Numri i refugjatëve që kanë hyrë në Bosnje u rrit ndjeshëm gjatë muajit prill, duket për shkak të përmirësimit të motit. Javën e fundit ka pasur edhe lajme për incidente dhe keqtrajtime të tyre nga autoritetet boshnjake, aq sa OKB-ja u detyrua të bëjë thirrje për trajtimin e tyre me respekt dhe dinjitet.

“Shumë boshnjakëve u është dashur vet të largohen dikur, e këtë duhet të sjellin ndërmend me ata që sot përballen me një fat të ngjashëm”, tha në një konferencë për shtyp Fahran Haq, zëvendëszëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

Ditë më parë, raportet në media treguan se Mali i Zi po shikon mundësinë e ngritjes së barrierave fizike në kufirin e tij me Shqipërinë. Si mund të ndodhë kjo, nuk dihet, por zyrtarë malazezë flasin për ngritjen e gardheve me tela, si ato që ka ngritur Hungaria në kufijtë me Kroacinë dhe Serbinë.

Top Channel