Vetting te avokatët? Të rrëzuarit nga Vettingu, jo avokatë. Hezitim për kufizimin

23/05/2018 19:43

Ndër 58 nene njëri prej tyre ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në projekt- ligjin e ri për Avokatinë. Vetting-u, që është kontrolli i figurës, pasurisë dhe profesionalizimit të gjyqtarëve, prokurorëve, së fundmi edhe policëve, po tentohet të prekë edhe Avokatinë.

“Po gjithë këta prokurorë dhe gjyqtarë që dalin nga Vettingu të dënuar, a mund të bëhen pjesë e Dhomës së Avokatisë? Unë them se jo”, tha Bashkim Fino.

Kur kjo u diskutua për herë të parë në Komisionin e Ligjeve, Maks Haxhia, kreu i dhomës së Avokatisë pati një qasje pozitive.

“Do të kemi 3 kategori të larguarish nga Vettingu, do të jenë të paaftit, me figurë jo të pastër dhe të korruptuarit. Mendoj që do të jetë një qëndrim i diferencuar. Një gjyqtar, një prokuror që është larguar për korrupsion nuk mund të jetë sepse barazohet me atë që janë të dënuar për vepra penale”, është shprehur avokati Maks Haxhia.

Por debati mbetet për shkak se bëhet fjalë për një profesion të lirë. Dhe këtë e theksoi Maks Haxhia në mbledhjen e dytë të komisionit.

“Profesioni i avokatit është një profesion i lirë dhe nuk është i kushtëzuar fare nga qëndrimi që mban një person që do të bëhet avokat në punët që ai ka pasur para se të bëhej avokat”, tha Haxhia.

Edhe burimet pranë juristëve të mazhorancës pohojnë hezitimin për të shkruar një nen të tillë, ndërsa të gjithë shtrojnë pyetjen se a do të ishte e drejtë t’u mohohet e drejta e ushtrimit të profesionit të lirë të avokatit, gjyqtarëve dhe prokurorëve që s’kualifikohen nga Vettingu. Opozita, e zënë me aksionin e saj anti Xhafaj, ka qenë distante nga ky debat, por një ndërhyrje nuk mungoi.

“Pse nuk e bëni këtë gjë edhe për ministrin e Brendshëm?” tha Enkelejd Alibeaj.

Aktualisht në projekt-nenin për fitimin e titullit të avokatit ndër të tjera kërkohet që personi të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë: për vepra penale me dashje apo në pakujdesi dhe që nuk është rehabilituar. Një theks i veçantë në çdo rast i vihet figurës dhe integritetit të profesionit të avokatit.

Top Channel