“Bulevardi” i Edi Hilës. Galeria e Arteve “hap dyert” pas 4 muajsh

23/05/2018 20:06

Galeria Kombëtare e Arteve ka thyer heshtjen pas 4 muajsh, duke çelur të parën ekspozitë që kur në krye të saj, në muajin janar, u vendos Erzen Shkololli.

Mungesën e gjatë, drejtori e justifikoi me cilësinë, duke u kujdesur të zgjedhë një emër si artisti Edi Hila për ta nisur sezonin, atëherë kur shumica e institucioneve simotra, me ardhjen e verës mbyllin kalendarët artistikë.

Erzen Shkololli, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, shprehet: “Për arsye të cilësisë. Për të gjithë ne, por mbi të gjitha për institucionin ka shumë rëndësi që të fillojë kështu”.

Edi Hila vjen në ekspozitën e parë të tij retrospektive, një ekspozitë që në Tiranë mbërrin pas udhëtimit të saj në Varshavë: “Një pikturë ka tërhequr shumë vëmendjen sepse në Shqipëri erdhën 2-3 kuratorë nga qendra “Pompidou” dhe ata vizituan atelienë time dhe blenë atë tablo”.

Retrospektivën e tij, Hila e ndan në disa stacione: “Tema e gjatë që unë kam trajtuar mbi bulevardin e Tiranës, që për mua është një temë shumë interesante mbi një subjekt që të gjithë e kemi konsumuar me mënyrën tonë. Ne që ishim të rinj atëherë bënim xhiro dhe njihnim njëri-tjetrin. Përsëri bulevardi mbetet vendi ku janë zhvilluar e zhvillohen të gjitha ngjarjet me protesta, me manifestime, me të vrarë, të plagosur e me radhë”.

Punimet e Hilës mund të vizitohen përgjatë dy muajsh në GKA, deri në fund të muajit korrik.

Top Channel