Taksa e pronës, Ahmetaj: Një pjesë e bashkive e kanë nisur

22/05/2018 14:57

Ministri i Financave Arben Ahmetaj saktësoi se taksa e pronës nuk është shtyrë, por ka hyrë në fuqi që nga muaji i kaluar ashtu sikurse parashikohet në ligj. Sipas tij, vetëm ato bashki të cilat nuk janë ende gati për ta mbledhur taksën sipas formulës së re, do të lejohen ta shtyjnë zbatimin e saj deri në 1 janar 2019.

“Në referencë të aplikimit të taksës mbi ndërtesat, një sqarim për të gjithë subjektet por edhe për qeveritë vendore, aplikimi i taksës së pronës nuk është shtyrë ashtu siç është keqinterpretuar në lajme, por ajo që unë kam sqaruar dhe që do ta risqaroj sot ka të bëjë me periudhën tranzitore, që do të thotë ligji i ka dhënë të drejtë njësive vendore që nuk bëhen dot menjëherë gati për metodologjinë e re të bazuar te vlera, për një periudhë tranzitore mund të përdorin metodologjinë e vjetër. Pra, taksa vazhdon aplikohet, taksa nuk është shtyrë, por ka një periudhë tranzitore për të akomoduar metodologjinë e re me bazë vlerën”, tha Ahmetaj.

Prej vitesh taksa e pronës në Shqipëri është paguar si tarifë fikse mbi sipërfaqen. Por me formulën e re ajo llogaritet sa 0.05 për qind e vlerës së pronës.

Top Channel